Bienalja Ballkanike e Arkitekturës është nga eventet më të rëndësishme të sferës së Arkitekturës dhe Dizajnit për rajonin tonë. Në muajin dhjetor të vitit që sapo lamë pas, Shqipëria u përfaqësua për herë të parë në këtë event ballkanik të mbajtur në Beograd, Serbi, me projektet e disa prej studiove të njohura në botën shqiptare e më gjerë.
Mes studiove pjesëmarrëse nga vendi ynë ishte dhe “Inceptio”, që operon në Shqipëri dhe në Francë, e themeluar nga arkitekti Indrit Hamiti. Në këtë bienale që ndihmon për të forcuar lidhjet mes studiove të arkitekturës që operojnë në Ballkan, nisur edhe nga shkëmbimet e vazhdueshme kulturore mes vendeve pjesëmarrëse, studio “Inceptio” u prezantua me nje projekt të lokalizuar në Tiranë, të quajtur “Vila Trinity”.
Për të mësuar më shumë mbi këtë event rajonal dhe rëndësinë që ai merr sidomos në këtë kohë kur flitet shumë për projektin Open Balkan, “DurrësLajm” kontaktoi me arkitektin Indrit Hamiti.
Për të, pjesëmarrja në këtë biennale është një arritje mjaft e rëndësishme profesionale bazuar kjo në disa faktorë:
“Arkitektura është një shprehje e kulturës në kontekste të caktuara historike, por dhe e trashëgimisë materiale. Ajo është një medium shumë i rëndësishëm komunikimi. Nëpërmjet saj, përveçse tendencës për të evokuar copëza të identiteteve lokale, artistët nëpërmjet formave, nevojave, teknologjisë, që janë universale gjejnë linja komunikimi mes kulturave duke dhënë e duke marrë çfarë është më e mira dhe njëkohësisht duke krijuar modele më përfaqësuese.
Pjesëmarrja në një event të kësaj natyre në Beograd përbën për mua një gur kilometrik nga ana profesionale veç të tjerash për faktin se artistë që aktivitetin e tyre e kanë zhvilluar në ish-Jugosllavi si Paja Jovanoviç, Ivan Mestroviç e Bogdan Bogdanoviç kanë pasur një ndikim shumë të madh në formimin tim profesional.
Paja Jovanoviç është piktori që nëpërmjet realizmit akademik fiksoi në kanavacë elementë të kulturës dhe jetës nga gjithë Ballkani. Të njëjtën gjë e bëri me artin e tij Jovan Mestroviç, të cilin shumëkush e quan Rodeni i Ballkanit.
Bogdan Bogdanoviç me veprat e tij surealiste e metafizike u investua në krijimin e një gjuhe mbinacionale në një territor ku nacionalizmi e ksenofobia ishte rreziku kryesor për bashkëjetesën paqësore”,- tha Hamiti.

Arkitekti i njohur, gjatë bisedës, u ndal edhe në detaje të vilës luksoze” Trinity”, të ideuar dhe projektuar nga studio e tij, e cila ngjan sikur ka dalë nga katalogjet e studiove të mirënjohura në botë.
“Objekti po ndërtohet në Tiranë. Ai është i konceptuar si një triptik tre volumësh, pjesë e një strukture të rregullt gjeometrike, që lidhen me një cilinder qendror transparent. Cilindri së brendshmi është një atrium për shpërndarjen e lëvizjes në vertikalitet dhe horizontalitet dhe njëkohësisht shërben si kolonë drite, që e përçon atë deri në katin e nëndheshëm me anë të një dyshemeje transparente. Në pjesën e sipërme të atriumit është vendosur në një kat të ndërmjetëm një kapsulë me funksion studioje, si pjesa më e lartë e shtëpisë. Ajo është njëkohësisht dhe belvedere në analogji me kullën, si element i rëndësishëm i ndërtesave në zonen e Mesdheut e më gjerë. Në një epokë të distancimit social, ku aktiviteti profesional transferohet në ambientet e shtëpisë, studioja shndërrohet në element të rëndësishëm ikonik të funksionit të shtëpisë përtej thjesht banimit”,– shpjegon Hamiti.

Ajo që bie në sy sapo sheh fotot e projektit të finalizuar është copëtimi i fasadave dhe kjo sipas arkitektit Hamiti është bërë për një arsye specifike.
“Volumet janë copëtuar në mënyrë që asnjëra nga faqet mos të jetë plotësisht nga veriu duke qene se parcela ndërtimore është e orientuar nga veriu, por njëkohësisht dhe për të formuluar hapësira të jashtme me funksione dhe nivele të ndryshme privacie.
Planet e pjerrëta që kulmojnë volumet evokojnë çatitë e objekteve rreth e rrotull dhe risillen në një frymë më bashkëkohore me qëllim që të përthyejnë fasadën me të njëjtin material veshës dhe njëkohësisht të krijojnë në dhomat e katit të dytë lojëra volumore që ndihmojnë në interpretimin e hapësirave të brendshme. Pjesët e orientuara nga jugu të “çative” vishen me panele fotovoltaike dhe arrijnë ta shndërrojnë objektin autonom nga pikpamja e konsumit të energjisë”,- tregon ai.
Një detaj tjetër i veçantë i vilës është fasada, që do të vishet me një gur, të nxjerrë nga zona aty pranë.
“Fasada e ventiluar është menduar të vishet me një gur që nxirret nga kava jo më larg se 30 km nga objekti, në zonën e Krujës. Kjo bëhet jo vetëm për të stimuluar industritë lokale, por njëkohësisht për të ulur sa më shumë përdorimin e materialeve që kërkojnë shumë energji në procesin e transformimit”.
Studioja, veç nje ambienti konfort pune ofron dhe një panoramë të gjerë të siluetës së qytetit të Tiranës, me vargmalet dhe Dajtin në sfond.

Organizmi funksional është shpërndarë horizontalisht dhe vertikalisht në katër nivele:
Në katin e nëndheshëm janë vendosur garazhet e makinave, ambientet e shërbimit, një kantinë vere, nje playroom dhe home cinema dhe ambiente teknike.
Kati përdhe përfshin zonën e ditës, të përbërë nga një living room, disa nyje sanitare, sallë ngrënie dhe kuzhinën dhe dy studio, të cilat funksionojnë të pavarura, por të lidhura nga një holl rrethor.
Zona e natës ndodhet në katin e parë, ku janë vendosur dhomat e gjumit me tualete dhe garderobë secila. Shpërndarja planimetrike krijon mundësinë që të ketë katër dhoma gjumi për miqtë, përveç dy dhomave kryesore.
Forma rrethore e hollit reflektohet edhe në vertikalitet në katin e dytë duke marrë funksionin e një studio, e cila ka akses direkt me shkallën dhe me ashensorin.





