Tym në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës, nxënësit nxirren jashtë ambienteve pas frikës së një zjarri të mundshëm. Fatmirësisht, ngjarja e regjistruar rreth orës 09:30 nuk ka pasur përmasa të mëdha, pasi shkak ka qenë vetëm mosdjegia mirë e peletit, duke bërë që të dilte tym nga kaldaja.

Drejtori i shkollës artistike Orges Mema, tha për “DurrësLajm” se gjithçka ndodhi për shkak të mosdjegies mirë të peletit në momentin që po vihej kaldaja në punë.

Sipas tij, tymi është përhapur vetëm në dhomën e kaldajës dhe më pas për të siguruar nxnënësit ata janë nxjerrë të gjithë jashtë në oborrin e shkollës.

Mbërritja e grupit të zjarrfikësve dhe konstatimi i tyre se nuk përbënte asnjë rrezik, ka bërë që nxënësit të futen në shkollë dhe mësimi vijoi normalisht.

Sipas një prej prindërve, gjithçka është zgjidhur brenda pak minutash dhe nuk ka pasur vend për panik.

Ndërkohë po bëhen përpjekje për të rivënë kaldajën në punë, pasi ajo nuk ka pësuar ndonjë defekt të rëndë.

Për sigurinë e të gjithëve është duke u pritur prania e specialistëve.