Një aksident tragjik ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, ku një shtetase 18-vjeçare humbi jetën, ndërsa motra e saj 13 vjeçe dhe një person tjetër mbetën të plagosur.

Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Qerret-Katund i Ri, ku fillimisht blutë e Durrësit bënë me dije se një 37-vjeçar ishte shkaktari i ngjarjes së rëndë.

Rreth orës 18:40, në aksin rrugor Qerret Durrës, një automjet me drejtues shtetasin A. D., 37 vjeç, ka humbur kontrollin dhe ka përplasur 3 shtetas këmbësor ende të pa identifikuar“, shkruante në një njoftim zyrtar policia mbrëmë.

Dinamika e ngjarjes ka ndryshuar këtë të enjte, ku në një njoftim të dytë raportohet se 22-vjeçari Ismir Kusi, banues në Sukth duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur ka përplasur fillimisht automjetin me drejtues 38-vjeçarin Algert Dushi dhe më pas 2 këmbësore, motrat 13 dhe 18 vjeçe, ku kjo e fundit ndërroi jetë në vendngjarje.

NJOFTIMI I POLICISË:

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin I. K., 22 vjeç, banues në Sukth, Durrës, i cili pasditen e djeshme, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, në aksin rrugor Qerret-Katund i Ri, është përplasur me një automjet tjetër me drejtues shtetasin A. D., 38 vjeç dhe më pas ka aksidentuar 2 këmbësore, shtetasen F. K., 18 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ka humbur jetën në vendngjarje, dhe një shtetase 13 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve./K.Gj/DurrësLajm

Lexo edhe: