Policia e Durrësit ka arrestuar dy persona, teksa ka nisur procedimin penal për 50 të tjerë, pasi morën pjesë në protestën e ditës së djeshme, bënë thirrje për grumbullime, bllokuan rrugët dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë.
“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me protestën e zhvilluar në datën 10 mars 2022, bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
- E. Smeli 21 vjeç dhe A. Basha, 33 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu u proceduan penalisht 50 shtetas, pjesëmarrës në protestë.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protesës së datës 10 mars 2022.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve, sepse do të përballen me forcën e ligjit”, njoftojnë këtë të premte blutë e Durrësit.
Prej dy ditësh, qytetarët në Durrës janë ngritur në protestë kundër rritjes së çmimeve, duke paralajmëruar protesta të përditshme. Edhe ditën e sotme, do të mbahet protesta në ditën e tretë të saj, ku pritet t’i bashkohen edhe studentët.





