Gjykata e Durrësit ka liruar dy të arrestuarit që u prangosën nga policia për protestën që u mbajt kundër rritjes së cmimeve.

Gjyqtari Markelian Koça ka dhënë masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” duke i liruar menjëherë nga salla dy të rinjtë: Endri Smeli 21 vjeç dhe Alehandro Basha 33 vjeç. Seanca u zhvillua paraditen e kësaj të diele.

Dty të rinjtë u arrestuan dy ditë më parë, në akuzat: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim.

Si u arrestuan dy të rinjtë

21-vjeçari E. Smeli kishte parkuar makinën përpara se të ndodhte protesta dhe pas përfundimit të saj, kur ka shkuar për të hipur në automjet, nuk e ka gjetur. Ndodhur në këto kushte i është drejtuar komisariatit të Policisë, por aty i është komunikuar se mjeti i është bllokuar dhe i janë vendosur prangat nën akuzë për 3 vepra penale.

Ndërsa 33-vjeçari A. Basha ka deklaruar përpara uniformave blu se ka qenë duke u kthyer nga Tirana, me nusen shtatzënë, kur është ndodhur në bllokim të rrugës për shkak të protestës. Ka fikur automjetin dhe ka pritur deri në përfundim të protestës, por policia e ka arrestuar.

Ndërkaq policia ka nisur procedimin penal lidhur me protestat e ditëve të fundit për mbi 74 persona.