Marius Musaku është 32-vjeçari nga Lushnja që u vu në pranga nga policia e Durrësit, pasi akuzohet se ka mbajtur peng për disa ditë me radhë në një banesë Ersida Dyrmishin, duke e detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë, kundrejt kërcënimeve.

Zhdukja e Ersidës alarmoi familjarët, miqtë dhe kolegët e saj, të cilët iu drejtuan policisë dhe medias duke shpërndarë foton në rrjete sociale, për të kërkuar ndihmë në gjetjen e saj.

Por gjithçka përfundoi deri mbrëmjen e djeshme, teksa Ersida i është drejtuar komisaratit të Durrësit së bashku me bashkëshortin e saj për të denoncuar të riun nga Lushnja.

Por kush ëshë Marius Musaku?

Ai nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi edhe më parë është dënuar po për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Në vitin 2018, Mariusi asokohe 28 vjeç, dhe i divorcuar, u denoncua se kishte marrë forcërisht ish-bashkëshorten e tij dhe e kishte mbajtur peng të fshehur në qytetin e Durrësit.

Ka qenë denoncimi i babait të vajzës 27-vjeçares asokohe, i cili vuri në lëvizje policinë kur informoi se ish-dhëndri kishte shkuar në banesën e tij në fshatin Zhamë të Lushnjës dhe i kishte marrë me forcë të bijën.

“Në Komisariatin e Policisë Lushnje ka bërë kallëzim shtetasi F.K, se 2 persona të paidentifikuar i kanë marrë vajzën” informoi policia e Fierit, teksa arriti ta arrestojë brenda 24 orësh Marius Musakën.

Marius Musaku, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në fshatin Zhamë, kishte marrë forcërisht ish-bashkëshorten e tij, shtetasen P.M, 27 vjeçe dhe e mbante peng të fshehur në qytetin e Durrësit. Policia bëri të mundur gjetjen e ish-gruas së Mariusit, shtetasen P.M dhe kapjen e tij. Ai madje ishte dënuar dhe më parë për veprën penale “Dhunë në familje”.