Në port është vënë në pranga shoferi i një automjeti, i cili po transportonte 2 shtetas me dokumente të falsifikuara, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Janë arrestuar gjithashtu edhe shtetasit që do të kalonin kufirin, njofton policia.
Nga ana tjetër, policia ka proceduar penalisht E.Xh., pasi iu gjetën 14900 paund dhe 500 euro, të padeklaruara.
Njoftimi i policisë:
Port Durrës / Krahas masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e sezonit turistik, vijojnë kontrollet e pandërprera, me qëllim goditjen e paligjshmërisë, në çdo formë të shfaqjes së saj.
Finalizohet nga shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Port Durrës dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, operacioni policor i koduar “Intensive”.
Transportoi me automjet, 2 shtetas me dokumente të falsifikuara, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, vihet në pranga.
Arrestohen edhe 2 shtetasit që tentuan të kalonin kufirin me pasaporta të falsifikuara.
Goditet edhe 1 rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi, procedohet penalisht në gjendje të lirë 37-vjeçari.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Durrës, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të paligjshme të evidentuara në kufi, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Intensive”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:
-A. H., 63 vjeç, banues në Zvicër, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”;
- A. M., 25 vjeç dhe R. G., 20 vjeç, banues në Kosovë, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi A. H. transportonte me automjetin e tij, shtetasit A. M. dhe R. G., me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror, si dhe se shtetasit A. M. dhe R. G. tentuan të kalonin kufirin me pasaporta të falsifikuara.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Intensive”, u referuan materialet si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. Xh., 37 vjeç, banues në Mbretërinë e Bashkuar, sepse gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në automjetin që ky shtetas drejtonte, u gjetën 14900 paund dhe 500 euro, të padeklaruara në organet përkatëse, sipas përcaktimeve ligjore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.





