Projekti i zonës arkeologjike A dhe B në Durrës, ku pritet të krijohet parku arkeologjik i qytetit 3000-vjeçar, merr një rëndësi të veçantë.
Mbrëmjen e së martës, Ministria e Kulturës zhvilloi dëgjesën e dytë publike me grupet e interesit, pas dëgjesës së parë të zhvilluar muaj më parë me banorët e zonës.
Plani i Menaxhimit të Integruar i hartuar prej Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) u prezantua nga arkitekti Rand Eppich për rreth gjysëm ore me radhë.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen e të gjithë të pranishmëve ishte fakti që prezantimi u bë në anglisht dhe pjesëmarrësit duhet të kishin njohuri të mira në këtë gjuhë për të kuptuar shumë nga aspektet teknike të projektit. Gazetarja Vali Qyrfyçi e ngriti këtë shqetësim gjatë fjalës së saj, ndërkohë që justifikimi i organizatorëve ishte se plani voluminoz i menaxhimit është shpërndarë tashmë në shqip prej javësh.
E pyetur nga gazetarja Qyrfyçi nëse plani i menaxhimit të zonës arkeologjike është integruar me projektin e marinës turistike që pritet të kushtojë 2 miliardë euro, ministrja Margariti u përgjigj:
“Projekti i ri i marinës është një magnet i madh që i shtohet magnetit të amfiteatrit. Nuk i shoh asnjërën si xhep të tjetrës por do t’i shihja si dy elementë që vetëm mund të krijojnë sinergji më të mëdha. Mendoni gjithë synimet për vizitorët e mëdhenj që do të vijnë në Durrës përmes detit dhe ju siguroj që ndalesa e parë do të jetë amfiteatri. Nuk i shikojmë dot të ndara nga njëra tjetra por plani i menaxhimit vjen si detyrim ligjor për zonën arkeologjike dhe është i kufizuar, pa prekur marinën. Prandaj plani nuk mundet të hartojë linja guidë për zhvillimin e një zone e cila nuk është shpallur zonë arkeologjike”.
Ndërkohë, përsa i përket dëmshpërblimit të banorëve, shtëpitë e të cilëve do të shemben për zbatimin e projektit, ministrja e Kulturës theksoi se do të zbatohen nga qeveria shqiptare të gjitha dispozitat ligjore në fuqi për shpronësimin e tyre.
M.B.





