Bashkia Durrës ka hapur një ditë më parë tenderin “Sistemim K.U.B në rrugën “Taulantia”” me vlerë 36,666,667 lekë.
Zona ku do të kryhet investimi ndodhet në perëndim të qytetit, në lagjen nr.1 pranë muzeut Arkeologjik, midis rrugës “Epikadëve” dhe rrugës “Mretëresha Teutë”.
Projekti i hartuar nga drejtoria teknike e Ujesjellësit të Durrësit ka marrë shkas nga shqetësimet e qytetarëve, të cilët jo pak herë janë ankuar për bllokime të rrugëve në ditët me reshje të dendura.

Shkarkimi i ujërave të bardha i kësaj linje do të bëhet në det, pranë objektit “Pista Koka”.
Në rrugën “Taulantia” pranë “Muzeut Arkeologjik”, rrjeti i kanalizimeve të ujërave të bardha mungon dhe ujërat e shiut shkarkohen në tubacionin e ujërave të zeza, i cili shtrihet përgjatë aksit të kësaj rruge.
“Rrjeti aktual i kanalizimeve i ndërtuar rreth viteve 1964 grumbullon ujërat e ndotura të banesave që ndodhen përgjatë aksit “Taulantia”, i cili duke qenë një sistem i përbërë nuk përballon prurjet e kolekorëve sekondarë në ditë rreshjesh me intensitet të lartë. Kjo situatë është bërë shumë shqetësuese jo vetëm për lëvizjen e automjeteve, por edhe për qytetarët që aksesojnë këtë rrugë”,- shkruhet në dokumentet e tenderit.
Mungesa e këtij rrjeti shkakton në kohë reshjesh grumbullimin masiv të ujërave të bardha në sipërfaqe, duke sjellë jo vetëm vështirësi në kalimin e mjeteve dhe këmbësorëve, por dhe dëmtime të asfaltit.
Nisur nga gjendja problematike lind domosdoshmëri për shtrim linje kanalizimimi, që bën të mundur sistemimin e ujërave të bardha.
Kompanitë e interesuara kanë afat deri më 30 shtator për të paraqitur ofertat, ndërkohë pas lidhjes së kontratës, zbatuesi i punimeve ka afat 100 ditë për përfundimin e projektit.
M.B.





