Me afrimin e zgjedhjeve amerikane të mesmandatit, garda e lartë e politikës zbriti në terren. Në Pensilvani presidenti Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris bënë një paraqitje të rrallë së bashku në fushatën e Filadelfias. Dyshja kërkon të nxisë demokratët e Pensilvanisë në pjesën e fundit të fushatës së zgjedhjeve afatmesme të 8 nëntorit.
Sondazhet tregojnë se demokratët mund të humbasin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, me pakënaqësinë e votuesve për inflacionin e lartë që prish vrullin që demokratët shpresuan të fitojnë nga lufta për të drejtat e abortit.
Biden nënvizoi kontrastin e mprehtë të planeve të tij ekonomike dhe ato të republikanëve për çështje që variojnë nga kostot e barnave deri te sigurimet shoqërore.
”Kështu që të varfrit ngjiten një shkallë më lart, shtresa e mesme mund të bëjë mirë dhe të pasurit gjithashtu. Është një ndryshim themelor që po funksionon në krahasim me republikanët,” tha Biden.
Demokratëve në ndihmë po u vjen edhe ish-presidenti Barack Obama. Ai po përpiqet të bëjë atë që nuk mundi gjatë dy mandateve si president: të ndihmojë demokratët të fitojnë në zgjedhjet që mbahen kur ata kanë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë.
Obama është më popullor se sa ishte atëherë.
Ish-presidenti Obama e nisi fushatën në shtetin e Xhorxhias ku garat janë vendimtare. Më pas ai do të bëjë fushatë në Miçigan dhe Uiskonsin dhe javën e ardhshme në Nevada dhe Pensilvani.





