Në orën 10.00 të ditës së mërkurë, pritet të zhvillohet mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak Durrës, të dalë nga zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në ndryshim nga çfarë ndodhi për 4 vite me radhë, kur Këshilli Bashkiak ishte thuajse një ngjyrësh, (përjashtim bënte vetëm këshilltarja Morena Boja e Bindjes Demokratike), 51 anëtarët e këshillit i përkasin partive të ndryshme politike, por Partia Socialiste ka shumicën, me 28 anëtarë.
Pas 4 vitesh, opozita rikthehet të bëhet pjesë e parlamentit të qytetit me 13 anëtarë të dalë nga koalicioni “Bashkë fitojmë” dhe 5 anëtarë nga PD. Ndërkohë pjesa e mbetur e mandateve u shkon partive të vogla, respektivisht 3 mandate për Partinë Agrare Ambientaliste, 1 mandat Partia Socialdemokrate dhe 1 mandat për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Mbledhja e parë, gjatë të cilës do të bëhet konstituimi i këshillit dhe do të zgjidhen drejtuesit e tij do të drejtohet nga këshilltari dhe ish-deputeti Rolant Xhelilaj.

Këshilltari i PS është më i vjetri në moshë mes këshilltarëve të Durrësit e si rrjedhojë do të drejtojë mbledhjen gjatë të cilës do të votohet për zgjedhjen e kryetarit/es së ri të KB, si dhe zvkryetarit/ëve të KB Durrës.
Gjatë mbledhjes do të zhvillohet edhe ceremonia e marrjes-dorëzimit të detyrës së kryetares së bashkisë, Emiriana Sako, e cila fitoi një mandat të dytë qeverisës.
Njëkohëisht gjatë mbledhjes do të zgjidhet përfaqësuesi i këshillit të bashkisë në këshillin e qarkut.





