Policia bashkiake e Durrësit ka konstatuar disa subjekte dhe qytetarë të cilët nuk respektojnë orarin e përcaktuar për hedhjen e mbetjeve urbane.

Në një njoftim të shpërndarë, policia bashkiake bën me dije se për këto raste janë marrë masa administrative me gjobë. Ndërsa subjektet përsëritëse janë dërguar për ndjekje penale me motivacionin për ndotjen e mjedisit.

Njoftimi i plotë:

Pas njoftimeve të herëpashershme që Policia Bashkiake Durrës i ka bërë qytetarëve dhe veçanërisht subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në hotele, resorte, bar-restorante, si dhe çdo biznesi tjetër për të respektuar orarin e hedhjes së mbetjeve të vendosur nga Bashkia, përsëri janë konstatuar disa subjekte/qytetarë të papërgjegjshëm të cilët nuk respektojnë orarin e përcaktuar.Për këtë arsye janë marrë masa administrative me gjobë nga shërbimet e Policisë Bashkiake.

Në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës subjektet përsëritëse janë dërguar për ndjekje penale nga Policia e Shtetit me motivacionin për ndotjen e mjedisit .

Policia Bashkiake me shërbimet e saj po monitoron dhe mban në kontroll të gjithë territorin e Bashkisë Durrës, në vëmendje të veçantë janë zonat turistike.

Jemi të vendosur për të marrë masa ekstreme ligjore për çdo shkelës të ligjit që hedh mbetje duke ndotur mjedisin, pasi të mbash pastër është një detyrë qytetare.

Ju vëmë në vëmendje se orari i hedhjes së mbetjeve urbane është:

Për qytetarët/familjarët, orari i hedhjes së mbetjeve do të jetë nga ora 6:00 deri ne orën 23:00.

Për të gjithë subjektet private, bizneset me shërbim hoteleri, restorant, supermarket, resort si dhe çdo subjekt tjetër, orari i hedhjes së mbetjeve do të jetë nga ora 23:00 deri në orën 04:00.