Në ditën e parë të muajit gusht, në portin më të madh në vend mbërritën 2355 pasagjerë dhe 648 mjete me tre tragetet e linjës Bari -Durrës. Muaji gusht përkon me kthimin në atdhe për të kaluar pushimet të mijëra emigrantëve që jetojnë e punojnë në vendet e Bashkimit Evropian.
Nga dita e nesërme, 2 gusht, tragetet rikthehen me lundrime të dyfishta për të përballuar fluksin në rritje të pasagjerëve.

Sipas burimeve portuale, fundjava pritet të jetë periudha me fluksin më të madh në hyrje në portin e Durrësit.
Ndërkohë mbi 34 mijë udhëtarë dhe 9 mijë automjete kanë hyrë në vendin tonë gjatë javës së fundit të korrikut nga porti detar i Durrësit.
Më 20 korrik, për të përballuar fluksin e udhëtarëve dhe mjeteve, në portin më të madh në vend tragetet nisën lundrimet e dyfishta në 5 ditë të javës (e mërkurë – e diel).
Për të përpunuar në kohë rekord pasagjerët dhe mjetet përgjatë gjithë periudhës së fluksit në hyrje dhe dalje në portin e Durrësit do të funksionojnë 32 sportele, ku 20 janë për mjetet dhe 12 sportele për pasagjerët.
10 ditëshi i parë i muajit gusht përkon përherë me fluks udhëtarësh në hyrje, ndërsa kthimi i emigrantëve në vendet e tyre të punës nis pas datës 20 gusht.
M.B.





