Nëntoka e lagjes nr.1 të Durrësit i ka befasuar sërish arkeologët këtë të premte.
Gjatë punimeve për hapjen e themeleve për rindërtimin e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, doli në dritë ky mozaik i rrallë 2000-vjeçar.
“Është një nga zbulimet më të rëndësishme, që ka ndodhur vitet e fundit në vendin tonë. Ka të bëjë me një mozaik që përfaqëson teknikën më të lartë të punimit të këtyre strukturave dhe njëkohësisht ambienteve të zbukuruara me mozaik“, thotë Mariglen Meshini, arkeolog në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Mozaiku floreal i periudhës së hershme perandorake romake, që nëntoka e ka ruajtur në një gjendje mjaft të mirë, në fazën aktuale mendohet të mbulojë një sipërfaqe prej afro 60 m2.
“Mënyra e organizimit të mozaikut lidhet kryesisht me një figurë gjeometrike, që i takon një tradite të lashtë të rajonit në atë kohë. Pjesa qendrore është me motive lulesh, por gjithsesi më tepër pritet të shihet pas zbulimit të plotë të tij“, sqaron më tej Luan Përzhita, arkeologu që po drejton gërmimet.
Hulumtimi i mëtejshëm pritet të zbulojë edhe elemente të tjerë të rëndësishëm të sitit arkeologjik, që i përket fundit të shekullit I dhe fillimit të shek.II-të, kohë që lidhet me ndërtimin e Amfiteatrit dhe që i shtohet trashëgimisë së jashtëzakonshme kulturore të qytetit.