Policia në Francë qëlloi me armë një grua të veshur me velin islamik e cila kërcënonte se do të hidhte veten në erë në një stacion metroje në qendër të Parisit.

Gruaja, emri i së cilës nuk bëhet me dije, u qëllua pas thirrjeve “Allahu Akbar” dhe kërcënimeve që bëri në stacionin “François-Miterrand”, të kryeqytetit francez.

Policia mbërriti në vendngjarje pas një telefonate të pasagjerëve në metro dhe e qëlloi gruan pas 50 minutash negociata, pasi ajo nuk iu përgjigj thirrjeve të tyre për t’u dorëzuar.

Efektivët deklarojnë se nuk e dinin nëse gruaja kishte bombë në trup, pasi ajo ishte e veshur totalisht me velin islamik dhe për këtë arsye e qëlluan për motive sigurie.

Gruaja është dërguar për të marrë ndihmë në spital, teksa një hetim ka nisur për pistën e terrorizmit.