Një plantacion marijuane në natyrë dhe në një zonë të izoluar në komunën e Igualeja të Málagas është goditur nga policia spanjolle.
Operacioni i koduar “Abulaga”, nisi falë komunikimit të agjentëve mjedisorë të cilët paralajmëruan ulje të ndjeshme të ujit në një prej pellgjeve të përdorura nga helikopterët e INFOCA për shuarjen e zjarreve në pyje në zonë.
Hetuesit verifikuan sesi uji vidhej përmes një pompe lëvizëse që e transferonte atë në pellgje të ndryshme të ndërtuara ilegalisht nga personi përgjegjës për plantacionin, duke ruajtur në to ujin që më pas përdorej për të ujitur plantacionin e marijuanës.
Agjentët e gjetën plantacionin në një zonë të largët, të vështirë për t’u aksesuar, pa rrugë të afërta dhe të rrethuar nga pyje me pisha, të cilat ishin instaluar në një zonë të shpyllëzuar ekskluzivisht për këtë qëllim.
Përgjegjësi i plantacionit kishte krijuar një kamp kompleks të përbërë nga disa tenda, një kuzhinë dhe një vend për të mundësuar tharjen e boçeve të bimës, duke pasur gjithashtu dy gjeneratorë elektrikë, dy pompa uji dhe dy panele diellore, të gjitha këto, me rrezik serioz zjarri në këtë zonë me vlerë të lartë ekologjike në Serranía de Ronda.