Këshilltari bashkiak dhe urbanisti Ardian Muka ka denoncuar sot nisjen e betonizimit të parkimit publik pranë stacionit të trenit në Durrës, pavarësisht se investimi që po realizohet me fonde të qeverisë Rama dhe po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk është pajisur me leje ndërtimi.

Duke iu referuar deklaratës së kryebashkiakes Emiriana Sako bërë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, një muaj më parë, se objekti ka leje zhvillimi dhe është në rregull me legjislacionin për ngritjen e kantierit, ndërsa leja e ndërtimit është në proces., Muka denoncoi faktin se një ditë më parë është bërë edhe betonizimi i katit përdhe.

“Sot denoncimi im është shumë i thjeshtë. Gjatë gjithë kësaj kohe, në këtë kantier, nga momenti i parë kur ka ardhur dhe e ka inauguruar kryeministri Rama me tam-tam-et e tij dhe sot që flasim nuk ka rreshtur një ditë puna. Faktet janë kokëforta, është hapur gropa e ndërtimit të themelit, është lidhur hekuri. Për një objekt kaq masiv duhet rreth një muaj që të punohet në të dhe dje, më datë 30 nëntor, ky objekt është betonuar. Në një objekt pa leje ndërtimi, për rreth një muaj, zhvillohen punime intensive.

Nëse qytetarët durrsakë dhe ata shqiptarë për rregullimin e një dritareje, për të hequr 4 tjegulla nga çatia merren dhe burgosen, për këto lloj investimesh qeveria nuk pyet për leje ndërtimi, sikur nuk pyet edhe për gjithë pjesën tjetër. Shpronësimet sesi i bën, portin sesi e  merr dhe e përvetëson dhe të gjitha shkeljet që po bëjnë mbi qytetarët shqiptarë”,– tha këshilltari Muka për “DurrësLajm”.

Muka kishte printuar foto nga procesi I betonizimit të kantierit të parkimit publik për t’ua shpërndarë këshilltarëve në mbledhjen e KB-së, por atij nuk ia dha e drejta nga kryetari i këshillit Ani Dyrmishi për të diskutuar, duke iu komunikuar se do t’i jepet në mbledhjen e radhës.

Ndërtimi i të parit parkim publik, në afërsi të stacionit të trenit nisi në muajin korrik. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka akorduar 572 milionë lekë për ndërtimin e godinës, që do të ketë 396 vende parkimi dhe 7 nivele.

M.B.