Në murin e sallës ku stërviten çdo ditë kanë të afishuar emrat e njohur të ping pongut, që ekipi i Teutës ka nxjerrë përgjatë dekadave. Nën vështrimin e mjeshtrave të dikurshëm dhe nën syrin vigjilent të trajnerit të tyre Musa Tërniqi, ato prej 10 vitesh po bëjnë jo vetëm historinë e këtij sporti në Durrës, por edhe në Shqipëri dhe më gjerë.
Liridona Rexhaj, Samanda Agolli, Jusra Hasa, Emirieta Isufi, Fiona Xhani, Julisa Hasa dhe Elionela Hasani janë 7 vajzat e ekipit të Teutës, që për 10 vite rresht janë kampione të Shqipërisë. Një rekord ky që do ta kishin zili shumë ekipe.
“Niveli i Kosovës është shumë i lartë dhe ishte një rezultat shumë i mirë, ai i arritur nga Samanda Agolli. Duke dalë kampione ajo tregoi se ka një nivel shumë të lartë në ping pong. Edhe në Kupën e Republikës, ashtu si në kampionatin kombëtar kemi 10 vite rresht që dalim fitues të saj. Edhe ky i marrë në Korçë është një rezultat shumë pozitiv për gocat, të cilat po vazhdojnë traditën e mirë të pingpongut të femrave në Durrës”,– thotë trajneri Tërniqi për “DurrësLajm”.
Samanda Agolli është shpallur pak ditë më parë kampione mbarëkombëtare e Shqipërisë dhe Kosovës. Përballje shumë të forta me rivalet nga Kosova, por 18-vjeçarja nga Durrësi, studente e vitit të parë në degën Laborante dentare, rezultoi fitimtare duke ngritur lart kupën.
Liridona Rexhaj është 24 vjeçe. Sapo ka përfunduar studimet e larta për mësuesi dhe është kampionia në fuqi e Shqipërisë. Është sportistja që ka fituar më shumë tituj kombëtarë dhe ndërkombëtarë individualë në ekipin e Teutës dhe ka qenë pjesë e tij, që në vitin e parë kur u shpall kampion. Për rreth 14 vite, ping pongu është pjesë e pandarë e jetës së saj.
Çdo ditë, këto vajza të talentuara që kanë ngritur lart emrin e ekipit të Teutës, stërviten individualisht, por edhe si ekip me trajnerin Tërniqi. Pasditeve i gjen në pallatin e sportit “Ramazan Njala” me raketat në dorë dhe gati për stërvitje. Sfida të tjera brenda dhe jashtë vendit i presin, prandaj duhet të jenë mëse të përgatitura.
“Së pari është një kampionat, që është pas një jave në Shkodër dhe atjetër, që synoj titullin kampion. Më pas, në datat 23-24 dhjetor kemi një kampionat ndërkombëtar në Podgoricë, Mal I zi, ku patjetër dhe aty synojmë të dalim kampione”,- thotë kampionia Agolli.
Pjesa më e madhe e ekipit ndjek studimet e larta, por mes tyre spikat edhe një vogëlushe. Është më e vogla e ekipit dhe është vetëm 12 vjeçe Bëhet fjalë për Justa Hasën, nxënëse e klasës së 6-të, që është kampionia më e re e skuadrës. Dy javë më parë është shpallur më e mira në kampionatin e zhvilluar mes shkollave 9-vjeçare të qytetit. Duke parë vajzat më të rritura, Justa e vogël është e vendosur të ecë në hapat e tyre.
Në arritjet ekipore dhe individuale të vajzave të ping pongut, meritë të padiskutueshme ka trajneri Musa Tërniqi. Pas gjithë këtyre fitoreve brenda dhe jashtë vendit, Tërniqi ka vetëm një kërkesë drejtuar autoriteteve.
“E vetmja kërkesë që unë kam dhe dua ta realizoj edhe vetë është marrja e një trajneri të huaj, që ta ngremë nivelin më shumë, të konkurojmë në Evropë dhe botë.”
7 vajzat kampione të Teutës kanë vendosur një rekord, që vështirë se do mund të thyhet. Për më tepër që vajzat janë të etura për fitore të tjera, ndërsa më e vogla e ekipit premton shumë që në të ardhmen të jetë kampionia e radhës e Shqipërisë.
M.B.