Finalizohet operacioni policor i koduar “Perugia”. Kapet një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni i zbatuar nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me FAST Albania në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit” çoi në pranga shtetasin Arian Malo.

54-vjeçari është i dënuar me burgim, nga autoritetet gjyqësore në Itali, për disa vepra penale në fushën e narkotikëve dhe në atë të krimeve ekonomike. Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimin e tij në vendin fqinjë.

“Në vijim të aksioneve intensive të Policisë, të kryera në kuadër të operacionit kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar ose kombëtar, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u kap në kuadër të operacionit “Perugia”, dhe u vu në pranga provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Arian Malo, 54 vjeç.

Gjykata e Apelit e Perugias e ka dënuar 54-vjeçarin, me 4 vjet e 10 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Mospagimi i taksave dhe sigurimeve shoqërore” dhe “Deklarimi i rremë”, të parashikuara nga Kodi Penal italian”,– njofton policia e Durrësit.

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët, për të kryer ekstradimin e shtetasit Arian Malo, në Itali.