Sesa i kulturuar është një popull apo një qytet mund ta kuptosh fare mirë nga vëmendja që i kushton institucioneve të kulturës.   

Në Durrës janë 3 institucione mjaft të rëndësishme kulturore, që prej kohësh kanë nevojë për ndërhyrje emergjente.

Biblioteka e Durrësit, pavarësisht premtimeve të kryebashkiakëve të ndryshëm që kanë zënë karriken e qytetarit nr.1, vazhdon të ekzistojë në po të njëjtën godinë të vjetër, që nuk i përgjigjet aspak nevojave të një qyteti me rreth 300 mijë banorë.

Po ndërsa për bibliotekën do pritur mbase fushata e ardhshme zgjedhore për premtimin e radhës, për galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” dhe Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” është hapur drita jeshile për rikonstruksionin e tyre.

Në një gjendje mizerabël, me një tavan të mbytur nga lagështira, galeria e artit pamor i detyroi artistët durrsakë të zhvillonin muaj më parë një ekspozitë protestë, për të ngritur zërin për rikonstruksionin e saj.

Ndërhyrja në galerinë “Nikolet Vasia” do të realizohet përgjatë këtij viti dhe do të kushtojë rreth 12 milionë lekë.

Ndërkohë, rikonstruksioni i Qendrës Kulturore do të realizohet në bashkëfinancim me Ministrinë e Kulturës. I gjithë projekti pritet të kushtojë rreth 595,529,187 lekë, nga të cilat 278 milionë janë financim i dikasterit të Kulturës, ndërsa pjesa tjetër investim nga buxheti i bashkisë.

Rikonstruksioni i Qendrës Kulturore parashikohet të nisë gjatë këtij viti dhe do të vazhdojë edhe në vitin 2025.

M.B.