Në fund të vitit shkollor, institucioni jo publik arsimor “Mihal Ekonomi” nuk kishte si të kurorëzonte më bukur angazhimin e mësuesve dhe nxënësve, sesa me një ekspozitë pikture, të titulluar “Ngjyrat e shpirtit”. Dhe vërtet, ashtu siç është bota e të miturve dhe adoleshentëve plot ngjyra të ndezura dhe shkëlqim, ashtu ishin dhe dhjetëra tablotë e ekspozuara në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia”. Mësuesja e artit Edmonda Rotani Çeçi na tregon më shumë për punën e artistëve të vegjël.
Për vogëlushen Amber Prodani, përkushtimi për pikturën sapo ka nisur. Brenda një viti ajo ka realizuar rreth 30 vizatime e tablo, ku personazhet e filmave vizatimorë duket se janë ndër më të preferuarit.
Ines Llaçi sapo ka përfunduar maturën dhe është ende në dilemë për shkollën e lartë. 13 tablotë e saj janë ndër punimet më të realizuara në ekspozitë dhe duket se 18-vjeçarja punon plot pasion në telajo.
Drejtoresha e shkollës, Elsa Ekonomi, flet e entuziazmuar për angazhimin e nxënësve dhe talentin e shprehur prej shumë prej tyre në botën e artit.
Përveç prindërve dhe stafit pedagogjik, punimet e artistëve të vegjël të shkollës “Mihal Ekonomi” u vlerësuan me nota shumë pozitive nga çifti i piktorëve të njohur Agim dhe Xheneta Kadillari. Ata kishin udhëtuar nga Shkodra për të parë nga afër këtë ekspozitë.
I gjithë muaji qershor, në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” i është kushtuar piktorëve të vegjël të shkollave publike dhe jo publike të qytetit bregdetar.