Ditën e nesërme, e mërkurë datë 4 shtator 2024, do të mbahet seanca gjyqësore për vendosjen e masës së sigurisë personale për 5 personat e arrestuar nga policia e Durrësit, pasi kërcënuan presidentin e FSHF-së, Armando Duka.
Bëhet fjalë për presidentin e ekipit të futbollit “Iliria” nga Fushë-Kruja, Nazmi Selmani, së bashku me 2 djemtë e tij futbollistë dhe Redian Locin, ndërsa në hetim është vënë dhe djali tjetër i Selmanit, po futbollist dhe një 39-vjeçar.
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e 30 gushtit me motivin që ka të bëjë me mosgrumbullimin në Kombëtare të Gentian Selmanit (djali tjetër i Nazmiut), portierit të Tiranës.
Bëhet me dije se presidenti i klubit të futbollit Iliria nga Fushë-Kruja, Nazmi Selmani së bashku me tre djemtë e tij futbollistë të këtij ekipi, Adolfin, Brajanin dhe Santiagon, si edhe me Petrit Selmanin dhe Redian Locin, pasi kanë kërcënuar me ‘sms’ kreun e FSHF-së, më pas kanë shkuar në banesën e këtij të fundit në Durrës për ta kërcënuar nga pranë.
Mesazhin kërcënues që presidenti i Klub Iliria i ka dërguar presidentit të FSHS-së Armando Duka, ka qenë: “Pyeti fëmijët e tu, a i kam bërë unë me qajt”?
Pas denoncimit, policia njofton se ka arrestuar Redian Locin, Petrit Selmanin, Brajan Selmanin, Santiago Selmanin dhe Nazmi Selmanin, teksa në gjendje të lirë u proceduan Adolf Selmani dhe A.S. Nga burimet mësohet se kreu i klubit të Ilirisë, Nazmi Selmani, i cili është edhe pronar i ‘Nord Park’ në Fushë-Krujës, ka deklaruar në polici se Armand Dukën e ka mik dhe e ka kërcënuar në gjaknxehtësi e sipër.
Motivi dhe Gentian Selmani
Gentian Selmani (26-vjeç), aktualisht portieri i KF Tiranës në Superligë ka qenë pjesë e Kombëtares A dhe ka luajtur katër takime, ndërsa nuk u grumbullua nga Sylvinho për ndeshjet kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë në Nations League (7 dhe 10 shtator 2024).
Ky duket se ka qenë shkaku që i ati i Gentianit, Nazmiu me gjashtë personat e tjerë të përfshirë kanë kërcëuar Dukën, që nga ana e vet mësohet se ka thënë se “nuk ndërhyn në zgjedhjet e trajnerit”.
Lexo edhe:





