Bashkia Durrës po bëhet gati të kthejë tre sheshe të qytetit në vendparkime të mbyllura me pagesë.
Në fund të muajit që sapo lamë pas është hapur tenderi “Furnizim, vendosje pajisjesh për parkimet publike në qytetin e Durrësit”, me vlerë 12 498 000 lekë.
Në dokumentet e tenderit sqarohet se 3 sheshparkimet publike me pagesë do të jenë:
Parkim 1 (Sheshi pranë Muzeut të Dëshmorëve)
Parkim 2 (Sheshi pranë Pallatit të Sportit)
Parkim 3 (Sheshi pranë dy kullave, Shëtitorja Taulantia)
Tenderi do të qëndrojë i hapur deri më datë 9 tetor.
Sheshet në fjalë kanë aktualisht një numër të konsiderueshëm vendesh parkimi, por u mungon sistemi i sinjalistikës rrugore në parkim, vijëzimet e nevojshme, për të evidentuar vendet e parkimit dhe sistemin e qarkullimit. Gjithashtu mungojnë pajisjet e shërbimeve me pagesë.
Në projekt parashikohet që 3 sheshparkimet publike me pagesë do të kthehen në parkime të mbyllura për të garantuar një shërbim cilësor për përdoruesit e përditshëm ose abonentët. Ato do të jenë të pajisur me tra hyrës/dalës dhe sistem monitorimi me kamera.
Sistemi garanton një përdorshmëri sa më të thjeshtë për përdoruesit duke shfrytëzuar teknologjitë e fundit të lidhjes multimediale.
“Teknologjia do të përdoret për të përmirësuar dhe thjeshtuar aksesin në parkim dhe do të jetë një strategji kryesore e menaxhimit të parkimit. Një tjetër zgjidhje kyç e lidhur me teknologjinë është rritja e efikasitetit dhe efektivitetit të stafit dhe programeve të menaxhimit të parkimit. Me anë të softuerit mund të marrim informacion për hapësirat e parkimit që disponon”,- shkruhet në dokumentet e tenderit.