Qarkullonin me automjet, me armë zjarri dhe lëndë narkotike, kapen dhe vihen në pranga 2 persona në Durrës. Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, një sasi lënde narkotike kokainë, mjete prerëse (thika), 3 celularë dhe automjeti.

Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas lëviznin të armatosur, kanë organizuar punën për kapjen e tyre.

Në kuadër të operacionit “Friends”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë ndaluar automjetin e dyshuar. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, një sasi lënde narkotike dhe 3 mjete prerëse (thika), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë më automjetin.

Në përfundim të veprimeve u arrestuan shtetasit Marsid Gjyzeli 34 vjeç (drejtuesi i automjetit) dhe Ylli Agasi 49 vjeç, të dy banues në Durrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.