Policia e Durrësit ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me operacionin e koduar “Skema”, ku kërkohet arrestimi i 7 personave, të cilët deklaronin të dhëna financiare fiktive të subjekteve që administronin apo ku ishin të punësuar, për të shmangur detyrimet tatimore. Nga kjo veprimtari kriminale dëmi ekonomik ndaj shtetit, policia thotë se përllogaritet rreth 3 milionë euro.

Ekzekutohen masat e sigurisë, të caktuara nga Gjykata e Durrësit, për 4 shtetas dhe ndërkohë shpallen në kërkim 3 shtetas me masë sigurie “Arrest në burg”.

Policia e Durrësit informon se: Pas një hetimi disamujor, me metoda proaktive, me objektiv zbardhjen e një skeme mashtrimi që kryhej nga administratorët dhe punonjësit e disa subjekteve ekonomike me aktivitete në fushën e ndërtimit dhe shërbimeve mbështetëse, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Durrës, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Durrësit dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Skema”, ekzekutoi këto masa sigurie:

“Arrest në burg” për shtetasin I. A., 48 vjeç, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”;
“Arrest në shtëpi” për shtetasen A. P., 36 vjeçe, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”;
“Detyrim paraqitjeje” për shtetasin A. M., 34 vjeç, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”;
“Detyrim paraqitjeje” për shtetasen B. Ç., 34 vjeçe, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në vijim të këtij operacioni, u shpallën në kërkim shtetasit I. V., 35 vjeç, R. S., 22 vjeç dhe L. T., 19 vjeç, të tre me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Nga hetimet dyshohet se administratorët e subjekteve, shtetasit R. S., I. A., A. M. dhe L. T., në bashkëpunim me 3 shtetasit e tjerë me masa sigurie, të punësuar në këto subjekte, kanë mashtruar për të ardhurat/shpenzimet e deklaruara, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Kjo veprimtari kriminale dyshohet t’i ketë sjellë shtetit, rreth 3 milionë euro dëm ekonomik.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

LEXONI EDHE: