Një automjet tip “Range Rover” është vjedhur në Kavajë gjatë mbrëmjes së djeshme, në një servis ku ishte dërguar për t’u lyer.

Mësohet se autorët kanë tentuar ta largojnë atutomjetin mesditën e sotme nga qyteti, por janë pikasur nga efektivët e repartit “Shqiponja” dhe agjentët e policisë.

Menjëherë sapo kanë kuptuar që po ndiqen nga policia, autorët kanë braktisur mjetin luksoz në një rrugicë në zonën e Shkozetit.

Ndërkohë, forcat “Shqiponja”, kanë arritur të arrestojnë në vendngjarje një të dyshuar, rreth 30 vjeç.

Kujtojm se, vjedhja e automjeteve është një fenomen mjaft i përhapur. Vitin e kaluar në Durrës u denoncuan 27 automjete të vjedhura, me një mesatare rreth 2 automjete çdo muaj, ndërsa pas hekurave kanë përfunduar 8 autorë.