Komisioni Hetimor i Shëndetësisë është mbledhur sërish me kërkesën për të shtyrë afatin si dhe për të pyetur edhe një herë dëshmitarët që janë marrë në pyetje nga PS gjatë kohës që mungoi opozita. Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa akuzoi nënkryetarin Plarent Ndreca se ka uzurpuar komisionin, duke i kujtuar atij se është marrë i pandehur nga SPAK.

Zhupa tha se duhet shtyrë afati i punimeve të Komisionit, pasi një ditë do të duhet vetëm për të marrë në pyetje ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj.

“Sot duhet ta kishte nisur maxhoranca me një kërkesë falje, me një kërkesë të tyre për të zhbërë atë që kanë bërë në këtë komision vetëm. Si ka vajtur puna në këtë komision, duhet një tjetër komision hetimor të hetojë shkeljet në këtë komision. Zoti Ndreca ka uzurpuar këtë komision, i cili për ironi të fatit po hetohet vetë. Pra, një i hetuar që po heton, –tha ajo.

E madje ka edhe të njëjtin avokat si Ilir Beqaj. Ne u përjashtuam sepse maxhoranca donte ta bënte vetë hetimin, të kalonte vetë ligjet, u detyruam të mos merrnim pjesë në një komision që e kishim kërkuar vetë, vetëm e vetëm për të mos hetuar, për të prishur hetimin, për të thirrur kë duan vetë, vetëm e vetëm sepse duan që të çojnë në drejtim të kundërt hetimin parlamentar.

Ajo që duhet të kërkojmë, është që gjithçka që ka kaluar vetëm nga maxhoranca, duhet të ribëhet përsëri. Mungon një listë e gjatë dëshmitarësh që duhet të kishin ardhur.

Për Ilir Beqajn të duhet një ditë e veçantë, ndaj duhen ditë të tjera, ta shtyjmë dhe duhet edhe ndihma e policisë për ata që refuzojnë të vijnë, që të bëjmë hetim sepse nuk duhet ta bëjmë teatër sepse nëse do e bëjmë gjasme që Ndreca heton Beqajn, më mirë ta mbyllim jo me 14 por me 8 sepse është teatër bajat”, tha Zhupa.