Goditet një rast i mosdeklarimit të shumave të konsiderueshme të parave, në pikën e kalimit kufitar të Durrësit, ku një 40-vjeçar u kap me mbi 51 mijë euro të fshehura në trup.
Për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. T., 40 vjeç, banues në Tiranë.
Nga kontrolli i shërbimeve të Policisë Kufitare të portit të Durrësit, i kryer në bazë të analizës së riskut, 40-vjeçarit iu gjetën të fshehura në trup, 51 220 euro që tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar në pikën e kalimit kufitar.
Shuma e eurove u sekuestrua nga Policia, në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.