7 persona me shtetësi të huaj kanë rënë në prangat e policisë në Elbasan pasi akuzohen për ushtrim dhe shfrytëzim prostitucioni. Policia bën të ditur se janë arrestuar në flagrancë shtetaset kolumbiane A. B., 22 vjeç, dhe L. B., 19 vjeçe, për veprën penale ushtrim prostitucioni, shtetaset spanjolle S. F., 36 vjeçe, dhe M. C., 32 vjeçe, shtetaset kolumbiane P. S., 27 vjeçe, dhe Y. A., 29 vjeçe, si dhe shtetasja venezueliane A. R., 38 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjithashtu ka nisur procedimi penal për shtetasen venezueliane Y. O., 31 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni” si dhe u shpallën në kërkim shtetasit peruane F. G., 23 vjeçe, dhe J. G., 44 vjeç, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Në lagje të ndryshme të Elbasanit, këto shtetas kishin përshtatur për shfrytëzim prostitucioni ambiente të marrë me qira, si dhe duke u promovuar në faqe online ofronin favore seksuale kundrejt pagesave.
Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 43 000 lekë, 2 780 Euro, që dyshohen se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 9 celularë, ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.