I forti i Niklës, Durim Bami, vijon të mbahet i arrestuar në Dubai dhe po zhvillon një betejë të fortë me autoritetet atje me qëllim pengimin e ekstradimit, në një kohë që Shqipëria kërkon me çdo kusht ta sjellë në qelitë e paraburgimit.
I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, Bami ishte arrestuar dhe më herët në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ishte liruar më pas, për shkak të mungesës së një marrëveshje ekstradimi mes dy vendeve.
Papritmas ai u ndalua për të dytën herë në Dubai, teksa ishte me familjen në qytet. Prej më shumë se një muaji e gjysmë ai mbahet në paraburgim dhe ka nisur betejën ligjore.
Përmes avokatëve, ai ka marrë dosjen e SPAK në të cilën rezulton njëherazi edhe si i dyshuar për kryerjen e veprave penale, por edhe në shënjestër të grupeve kriminale.
Beteja e tij me drejtësinë atje pritet të jetë e fortë, për shkak se Durim Bami rrezikon dëbimin, sikurse ndodhi me Plarent Dervishajn, i cili pas vitesh qëndrimi I strehuar në Dubai, u depërtua në Shqipëri.
Burimet thanë se më datë 24 dhjetor është planifikuar të zhvillohet seanca e radhës ku edhe do të vendoset për fatin e të shumëkërkuarit.
Durim Bami akuzohet nga SPAK për krijim të kushteve për të kryer vrasje si dhe grup kriminal.
Gjithashtu, ai kërkohej me çdo kusht nga grupi i drejtuar nga ish-deputeti specialist Arben Ndoka për tu vrarë, pasi ai e dyshonte për ekzekutimin e vëllait Aleksandër Ndoka.