Mëngjesin e sotëm zona përreth Velierës është zgjuar sërish e rrethuar me shirita sigurie, njësoj siç ishte mbrëmjen e së martës.

Një sasi eksplozivi, që u gjet nga policia dhe më pas u shpërthye në mesnatë në mënyrë të kontrolluar, nga ekspertët xhenierë ngriti në këmbë policinë e Durrësit.

E gjithë zona u mbajt mbrëmë dhe deri mëngjesin e sotëm nën mbikqyrje të vazhdueshme, ndërsa vetëm rreth orës 07.00, pasi grupi hetimor mblodhi të gjitha provat në vendngjarje, u hodhën shiritët e sigurisë.

Vetëm pas heqjes së perimetrit të sigurisë nisi qarkullimi i automjeteve, i cili ishte ndaluar që nga mbrëmja e së martës.

Deri më tani ngjarja është e mbuluar nga misteri, pasi policia nuk ka dalë me njoftim zyrtar, as për sasinë e lëndës plasëse të gjetur, as për rrethanat e ngjarjes dhe as për autorët e dyshuar.

Policia nuk ka dalë as me një njoftim paraprak, çfarë e bën ngjarjen edhe më misterioze.

Kujtojmë se mëngjesin e së martës Durrësi u zgjuar me lajmin e trishtë të vdekjes së një 29-vjeçari në në atentat me armë zjarri, në lagjen nr.18.

Ndërsa në mbrëmje qendra e Durrësit ishte nën mbikqyrjen e rreptë të policisë, pas alarmit për gjetjen e një sasie eksplozivi.