Mëngjesin e sotëm një ngarkesë disi e pazakontë, përsa i përket përmasave, u fut nga hyrja nr.4 e portit të Durrësit.

Bëhej fjalë për njërën nga pjesët e një jahti luksoz, i prodhuar në një fabrikë në Sektor Rinia, e cila u transportua gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm nga kompania e njohur DyrrahSped.

Për shkak të përmasave shumë të mëdha të ngarkesës (gjatësia 29 metër linear, gjerësia 6.9 ml dhe lartësia 3.7 ml) u zgjodhën pikërisht orët e para të mëngjesit të së martës për të kryer transportin, kur trafiku në akset rrugore është minimal.

Për të mundësuar transportin e sigurt të ngarkesës deri në terminalin e trageteve, autoritetet portuale të Durrësit hoqën në mënyrë provizore të gjitha tabelat horizontale, që pamundësonin hyrjen e trajlerit bashkë me ngarkesën gjigante dhe vunë në dispozicion të gjithë infrastrukturën e nevojshme që njëra nga 3 pjesët e superjahtit të mbërrinte e padëmtuar deri në destinacion.

Efektivët e Forcës së Sigurisë Portuale bllokuan lëvizjen e mjeteve të tjera përgjatë gjithë aksit nëpër të cilin lëvizi ngarkesa gjigante me qëllim evitimin e çdo incidenti rrugor apo bllokimi në rrugë.

Ngarkesa do të imbarkohet në tragetin e linjës Durrës – Ankona dhe pritet po sot të nisë udhëtimin drejt brigjeve italiane. Ajo është porositur nga një prej kompanive më të rëndësishme italiane në prodhimin e mjeteve lundruese luksoze dhe pikërisht në vendin fqinjë do të kryhet montimi i plotë i pjesëve të jahtit luksoz.

Me të gjitha lehtësirat infrastrukturore të krijuara në port, autoritetet dëshmuan edhe njëherë se bashkëpunojnë mjaft ngushtë me transportuesit shqiptarë, për t’u mundësuar këtyre të fundit realizimin me sukses të marrëveshjeve kontraktuale me bizneset e huaja me të cilat bashkëpunojnë.

Porti i Durrësit është porta më e madhe detare në vend për import-eksportin e mallrave dhe dëshmi e kësaj janë statistikat zyrtare të autoritetit portual.

Vetëm gjatë periudhës janar–prill 2025, në portin e Durrësit janë përpunuar 1.2 milionë tonë mallra, duke shënuar një rritje me 7% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë në të gjithë kompleksin portual Durrës–Porto Romano janë përpunuar 2.2 milionë tonë mallra.

Ky është një tjetër tregues i rëndësishëm për rolin strategjik të portit më të madh në vend në ekonominë kombëtare dhe rajonale.