Makina të parkuara mbi vijat e bardha, apo në vendet e parkimit rezervuar taksive.

Mjete me tabelën SHITET, që zënë një vend parkimi për ditë apo javë të tëra janë një femomen mjaft i zakonshëm në rrugët e Durrësit.

Karrike të vendosura mbi asfalt nga bizneset që ushtrojnë aktivitetin aty dhe mbajnë peng një vend parkimi, ndërkohë që drejtues mjetesh detyrohen të bëjnë disa rrethrrotullime në akset e qendrës për të gjetur një vend për makinën e tyre.

Në bulevardin “Epidamn” dhe atë “Dyrrah”, rrugën “Egnatia”, “Aleksandër Goga” etj, në çdo orë të ditës ndeshesh me absurditete të tilla, alla shqiptarçe.

E njëjta gjë haset edhe në rrugët dytësore. Çdo mjet rrethanor është i përshtatshëm për të mbajtur të zënë një vend parkimi, që në Durrës është mjaft i vështirë për t’u gjendur.

Ajo që bën përshtypje më shumë është fakti se pavarësisht se këto absurditete ndodhin në çdo orë të ditës, në qendër të qytetit, Policia Bashkiake dhe ajo Rrugore nuk kanë zbatuar asnjëherë një plan masash konkrete dhe afatgjata për t’i dhënë fund këtyre shkeljeve të Kodit Rrugor.  

Mjaftohen vetëm me aksione sporadike dhe bllokun e gjobave. Por sapo polici bashkiak apo ai i Policisë së Shtetit largohet shkelja e Kodit Rrugor vijon. Madje në disa raste konsumohet edhe në prani të efektivëve, që ngurojnë të veprojnë kundër atij që konsiderohet “i fortë”.

Në një qytet si Durrësi, që renditet i pari në shkallë republike për numrin më të madh të makinave në raport me popullsinë, qytetarët duhet të kyçin makinën në garazh, pasi shpesh kthehet në mision të pamundur gjetja e një vendi parkimi rreth e qark qendrës.

M.B.