Vijojnë kontrollet përgjatë vijës bregdetare në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, që ka si qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë ndërhyrë në plazhin e Currilave, në lagjen nr. 1, ku kanë konstatuar vendosjen pa leje të çadrave dhe shezlongëve në hapësira publike.
Si rezultat, u sekuestruan 91 komplete me çadra dhe shezlongë dhe u referuan materialet në Prokurori për nisjen e procedimit penal në gjendje të lirë ndaj tre shtetasve: B. D., 33 vjeç, D. V., 56 vjeç dhe E. H., 34 vjeç, të tre banues në Durrës.
Njoftimi i plotë:
Vijojnë kontrollet në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.
Lirohen hapësira të tjera në plazhin e Currilave, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrohen 91 komplete me çadra dhe shezlongë.
Procedohen penalisht 3 shtetas.
Shërbimet e Komisariatit Durrës, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Gjatë kontrolleve, në hapësira publike, në plazhin e Currilave, në lagjen nr. 1, u hoqën dhe u sekuestruan në total 91 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 3 shtetas.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. D., 33 vjeç, D. V., 56 vjeç dhe E. H., 34 vjeç, të tre banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.





