Dalin detaje të reja nga aksidenti i rëndë i ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen nr. 1 të Durrësit, në kryqëzimin pranë Kolegjit Amerikan dhe Mureve Rrethuese të qytetit..
“DurrësLajm” mëson se personi i përplasur, ende i paidentifikuar, po kalonte në vijat e bardha kur u godit me forcë nga një automjet që lëvizte me shpejtësi të lartë. Sipas dëshmitarëve, përplasja ka qenë aq e fortë sa e ka ngritur viktimën disa metra në ajër.
Siç duket dhe në videon e mëposhtme, në vendngjarje kanë mbetur biçikleta e të aksidentuarit dhe mjeti i përfshirë në aksident, ndërsa në asfalt janë të dukshme gjurmët e gjakut.
Nga përplasja e fortë, xhami i përparmë i makinës është thyer dhe dëmtuar plotësisht, duke treguar fuqinë e goditjes.
I plagosuri u transportua me urgjencë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore mbetet e paqartë.





