Policia e Durrësit ka ndëshkuar disa shtetas, të cilët mbeturinat e lokaleve të tyre në lagjen nr.1 të Durrësit i hidhnin në trotuare.
Policia ka dokumentuar edhe përmes fotove, pirgjet me qese plastike të mbushura me mbeturina, të cilat hidheshin në trotuar, pranë kazanëve të mbeturinave nga stafi i lokaleve në zonën bregdetare të qytetit.
Ndaj tyre ka nisur procedimi penal.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, nga kontrollet e vazhdueshme në terren, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në ankesat e qytetarëve, kanë konstatuar se në lagjen nr. 1, Durrës, ishin hedhur mbeturina të ndryshme në rrugë, që kishin shkaktuar ndotje të mjedisit.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit K. K., 42 vjeç, M. Ç., 50 vjeç, P. M., 45 vjeç dhe R. U., 35 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës, pasi dyshohet se kanë hedhur vazhdimisht në rrugë, jashtë koshave, mbeturina të ndryshme të lokaleve të tyre“,- njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.





