Një zjarr i qëllimshëm në fshatin Helmës të Kavajës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në tokë dhe pemëtari.

Policia ka identifikuar dhe proceduar penalisht shtetasin Y. T., 60 vjeç, banues në fshatin Helmës, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin degëve të pemëve të prera në tokën e tij. Për shkak të përhapjes së flakëve, janë djegur rreth 10 hektarë tokë arë dhe 30 pemë ulliri.

Njoftimi i policisë:

Identifikohet dhe procedohet penalisht autori i zjarrvënies në fshatin Helmës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Helmës, Kavajë, kishte rënë zjarr në një sipërfaqe toke, kanë kryer veprimet hetimore për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit Y. T. Ai dyshohet se iu ka vënë zjarrin disa degëve të pemëve të prera dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 10 hektarë tokë arë, në pronësi të tij, dhe 30 pemë ulliri.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Y. T., 60 vjeç, banues në fshatin Helmës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.