Çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme në qytetin bregdetar janë rritur ndjeshëm, referuar projektligjit “Për miratimin e metodologjisë, rregullave dhe procedurave për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj”.

Projektligji i hartuar nga Ministria e Financave parashikohet të nisë zbatimin nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Qarku që pëson ndryshimet më të larta të çmimeve nga 12 qarqet e vendit është pikërisht ai i Durrësit. madje në ndryshim nga projektligjet e mëpërshme ku i gjithë qarku kishte vetëm një çmim reference, tani Ministria ka propozuar 13 zona kadastrale për bashkinë Durrës, në të cilat çmimet kanë vlera të ndryshme. Ndërkohë, Shijaku ka vetëm një zonë kadastrale, ndërsa Kruja dhe Fushë-Kruja kanë nga një respektivisht.

Të vetmet zona kadastrale, ku çmimi është më i ulët sesa ai i vitit 2023 janë zonat 8 dhe 9, ku çmimi është respektivisht 45.000 dhe 50.000 lekë.

Duke iu referuar shifrave të publikuara të çmimeve të referencës, në zonën kadastrale nr.13 të Durrësit, çmimi shkon nga 67.500 që ishte më parë në 200.000 lekë për metër katror. Kjo zonë përkon me portin e Durrësit, aty ku ka nisur të ndërtohen shumëkatëshet e para të miliarderit Mohamed ALabbar, apo i njohur ndryshe si projekti Durrës Maarina.

Kjo është zona që regjistron rritjen më të ndjeshme dhe pritet ta çojë çmimin e apartamenteve dhe rezidencave që do të shiten aty në “qiell”.

Por jo vetëm kjo zonë regjistron rritje, referuar tabelave të publikuara në projektligj.

Në zonën 6 është propozuar çmimi 140 mijë lekë për metër katror, për zonën 1 çmimi i propozuar është 124 mijë lekë për metër katror. Për zonën kadastrale 10 çmimi i referencës do të jetë 100 mijë lekë.  

Në 2-3 vitet e fundit, çmimet në tregun imobiliar në Durrës janë rritur ndjeshëm. Pas kolapsit që pësoi ky treg në 2 vitet e para pas tërmetit, çmimet e pasurive të paluajtshme nisën të rriten, madje duke tejkaluar ndjeshëm çmimet e shitblerjeve të para vitit 2019.

Çmimet e reja të referencës që propozon Ministria e Financës duket se janë një tentativë e qeverisë për të formalizuar tregun e shitblerjes së pasurive të paluajtshme, por çmimet e reja mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e çmimit për metër katror të pasurive të paluajtshme në bashkinë e Durrësit.

Blerja e një shtëpie të re mund të bëhet edhe më e pamundur për një çift të ri apo familje me të ardhura mesatare.

M.B.