Durrësi së shpejti do të ketë kullat e tij. Dhe jo ato që janë prezantuar deri më tani tek projekti “Durrës Marina”, por të tjera për të cilat është dhënë leja nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Në lagjen nr.3, tek një godinë 3 katëshe pranë drejtorisë së Tatim Taksave, bizneset kanë nisur të vendosin njoftimet, se do të zhvendosen në ambiente të tjera. Kjo për shkak se godina nuk ka dhe shumë kohë jetë, pasi së shpejti do të shembet për të ngritur aty 4 kulla pjesë e projektit “Durrës Tower”, më e larta nga të cilat do të jetë 30 kate.

Siç duket edhe në projektin arkitekturor, që “DurrësLajm” e ka siguruar kulla më e vogël do të jetë 8 katëshe, ndërsa të tjerat 17, 24 dhe 30 kate.

Projektuesit shprehen se “ndarja në 4 vëllime të ndryshme i jep projektit një pamje të ndryshme nga secili drejtim, ndonjëherë duke u shfaqur si një grumbull kullash, ndonjëherë si dy kulla që shikojnë njëra-tjetrën”. Në të njëjtën kohë, ndarja në 4 vëllime jep mundësi, që godinat të kenë sa më shumë dritë natyrale dhe ajër për banorët e ardhshëm.

Godinat ekzistuese janë në pronësi të familjes Fani dhe tashmë projekti pritet të nisë së shpejti të konkretizohet. Ai u prezantua edhe gjatë festivalit “Bukë dhe zemër”, që mblodhi në Tiranë, në muajin qershor mbi 150 arkitektë të mirënjohur ndërkombëtarë nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore.

Por kjo nuk do të jetë kulla e vetme që do të ndërtohet në Durrës. Një tjetër do të nisë të hedhë shtat së shpejti në zonën e plazhit, në sektorin “Iliria”.

Bëhet fjalë për një tjetër projekt “Durrës Tower”, 32 kate, që synon të kthejë një sipërfaqe prej 4,350 metrash katrorë pranë vijës bregdetare në një ndërtesë shumëfunksionale me banesa, ambiente mikpritjeje dhe hapësira tregtare.

“Dizajni është i frymëzuar nga gjeografia lokale, duke paraqitur dy kulla elegante që mbështeten në një podium, me tarraca që u bëjnë jehonë formave të shkëmbinjve bregdetarë. Përtej estetikës së tyre të rafinuar, këto hapësira do të ofrojnë pamje marramendëse dhe një lidhje të përsosur midis mjediseve të brendshme dhe të jashtme, duke krijuar një pikë referimi të re arkitekturore për qytetin”,- thonë projektuesit e tij.

Qyteti buzë Adriatikut, që synon të kthehet në një destinacion gjithë vjetor turistik, po projektohet nga Këshilli Kombëtar i Territorit si një zonë, ku do të lulëzojnë kullat. Zëra për gradacela të tjera i referohen kullave, që mendohet se do të ndërtohen tek Drejtoria e Hekurudhës Shqiptare, por edhe në hyrje të Durrësit, pranë Galaktikut.

Nuk dihet ende nëse flukset turistike në vitet në vazhdim do të justifikojnë ndërtimet e kullave në një qytet, ku betoni ka bërë kërdinë për shumë vite me radhë. Dhe të mos harrojmë këtu edhe kullat që do të ngrihen në kuadër të projektit Durrës Marina!

Rritja e ndjeshme e çmimeve të referencës për pasuritë e paluajtshme në bashkinë e Durrësit, në projektligjin e hartuar nga Ministria e Financave, mund të jetë tregues i vizionit të qeverisë për ta orientuar zhvillimin e qytetit drejt turizmit elitar.

Në një qytet ku vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i strukturave hoteliere brenda në qytet dhe në vijën bregdetare, por edhe i apartamenteve AirBNB, a është i nevojshëm ndërtimi i të tjerave strukturave akomoduese?!

Si do të përkthehen në realitet këto mijëra metër kub të tjerë beton për qytetarin e thjeshtë durrsak?!

A do t’ia pamundësojnë familjeve blerjen e një shtëpie, për shkak të mos përballimit të çmimit për metër katror?!

Apo Durrësi do të kthehet në Dubain e Azisë ose Majamin e SHBA-së?! Kjo mbetet për t’u parë…

M.B.