Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Light”, duke vënë në pranga një shtetas të dyshuar si autor i disa vjedhjeve të kabujve elektrikë në rrugët e qytetit.
Bëhet me dije se në pranga ka përfunduar shtetasi A. Vezi, 35 vjeç, banues në Durrës.
Sipas Policisë, ky shtetas dyshohet për një seri vjedhjesh të kabujve të ndriçimit rrugor në segmente të ndryshme, duke lënë zona të tëra pa drita.
Njoftimi i plotë:
Durrës / Finalizohet operacioni policor i koduar “Light”
Vidhte kabujt elektrikë të ndriçimit të rrugëve, duke lënë disa segmente rrugore pa ndriçim, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Light”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit A. V., 35 vjeç, banues në Durrës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autor i një sërë vjedhjesh të kabujve elektrikë, të ndodhura në zona të ndryshme të qytetit, në territorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre ngjarjeve, si dhe për identifikimin e vjedhjeve të tjera të mundshme të kryera nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.





