Porti i Durrësit ka pritur një nga jahtet më mbresëlënëse të kohëve të fundit, “Dragonfly”, një superjaht 142 metra i gjatë, i ndërtuar nga prestigjiozi kantier gjerman Lürssen dhe i pajisur me teknologji të avancuar e dizajn luksoz. Fillimisht i njohur me emrin “Alibaba”, ky jaht u porosit nga bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin.

“DurrësLajm” mëson se gjatë ndalesës në port, “Dragonfly” do të kryejë një furnizim rekord me 600 mijë litra karburant. Brenda 5 orëve që është parashikuar të kryhet furnizimi i supermjetit luksoz, shteti shqiptar do të arkëtojë rreth 240 mijë euro nga taksa e luksit. Çdo jaht që furnizohet me naftë në Durrës, paguan taksën e karburantit 40 lekë për litër, të ardhura këto që vilen nga shteti shqiptar.

Mbërritja e superjahtit “Dragonfly” pason atë të 3 supermjeteve të tjera lundruese, në pronësi të sheikut Mansour bin Zayed Al Nahya, pronarit të ekipit të futbollit Manchester City,, të cilët u ndalën në Durrës 2 ditë më parë. Të mërkurën në port u ankoruan superjahtet A+, M2 dhe Alesund, që u furnizuan me 900 mijë litra karburant.