Gjatë 5 ditëve të fundit të javës që lamë pas, duke nisur nga e mërkura deri në të dielë, në portin më të madh në vend janë përpunuar në hyrje dhe dalje 42.585 pasagjerë dhe 13.333 automjete.

Kjo javë ka qenë më e ngarkuara me punë për autoritetet portuale, të cilëve u është dashur të përpunojnë në kohë rekord një fluks mjaft të madh udhëtarësh, të cilët udhëtonin me 2 linjat e trageteve që lidhin Shqipërinë me Italinë, Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona.

Fluksi më i madh i udhëtarëve ka qenë në hyrje, duke qenë se kjo periudhë përkon me kthimin në atdhe të emigrantëve shqiptarë, që jetojnë e punojnë në perëndim.

Referuar të dhënave portuale që “DurrësLajm” disponon, dita më e ngarkuar me punë ka qenë e shtuna e 9 gushtit, në të cilën janë përpunuar në hyrje dhe dalje mbi 12 mijë pasagjerë dhe 3981 automjete. Për të përballuar fluksin e madh të pasagjerëve, tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas kanë kryer lundrime të dyfishta nga e mërkura deri të dielën, ndërsa trageti i linjës Durrës-Ankona ka kryer lundrime të përditshme. Fluksi i madh i udhëtarëve dëshmohet edhe nga fakti se tragetet, ndryshe nga javët e kaluara kur kryenin 4 ditë lundrime të dyfishta, këtë javë kanë udhëtuar 5 ditë me dopiocorse.

Një javë më parë, në port u përpunuan nga e enjtja deri të dielën (31 korrik- 3 gusht), 24373 pasagjerë dhe 6957 automjete.

Java që sapo lamë pas êshtë e fundit me fluks të përqendruar në hyrje në portin më të madh të vendit, pasi nisur nga kjo javë do të nisë rikthimi i pasagjerëve në vendet ku jetojnë e punojnë. Pjesa tjetër e muajit gusht përkon me periudhën e përfundimit të pushimeve verore (ferragosto), sidomos për emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali.

M.B.