Përfshirja nga flakët e një divani që ndodhej në katin përdhe të një pallati në lagjen nr.6 të Durrësit ka vënë në rrezik jetën e banorëve të tij.
3 banorë kanë përfunduar në spital, sepse janë asfiksuar nga tymi, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nuk dihet pse është përfshirë nga flakët divani, por mendohet se mund të ketë qenë një bisht cigareje që ka shkaktuar zjarrin.
Ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve ka bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve që ndodheshin brenda pallatit.
Mësohet se një pjesë e banorëve që ndodhej brenda janë evakuuar nëpërmjet koshit të automjetit të zjarrfikësve.





