Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane u arrestua në Durrës, në janar të këtij viti, në kuadër të operacionit të koduar policor “Operacionalja 24”.
Në njoftimin për shtyp, të datës 20 janar, autoritetet policore njoftuan se Dashamir Gjepali, 50 vjeç, i lindur në Shijak ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Fermos në Itali, në vitin 2015, e ka dënuar me 4 vjet, 11 muaj dhe 17 ditë burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, falsifikim të dokumenteve dhe emigracion të kundërligjshëm.
Por një nga avokatët mbrojtës të shtetasit Gjepali, në një njoftim për shtyp të një dite më parë, sqaron situatën penale të klientit të tij dhe përgënjeshtron raportime të pasakta mediatike mbi këtë rast.
Sipas avokatit Krenar Bardhi, klienti i tij ka vuajtur më shumë sesa dënimi real i rishikuar, dhe për këtë arsye, një muaj më parë, “më 11 korrik 2025, Prokuroria e Fermos ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të z. Gjepali, pasi nuk ka asnjë arsye tjetër ligjore për të vijuar ndalimin e tij”.
Avokati thekson se për shkak të një gabimi procedurial Gjepali u dërgua në burg, por tashmë shijon lirinë jashtë çdo detyrimi ligjor ndaj drejtësisë.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për Shtyp – Përgënjeshtrim dhe Sqarim mbi Rastin e Dashamir Gjepalit
Fermo (Itali) / Tiranë – 11 Korrik 2025
Në vijim të disa raportimeve të pasakta në media lidhur me situatën ligjore të shtetasit shqiptar Dashamir Gjepali, i lindur më 26 shkurt 1975 në Shijak, jemi të detyruar të sqarojmë dhe të përgënjeshtrojmë kategorikisht disa keqinterpretime publike.
Z. Gjepali u arrestua më 19 janar 2025 në Shqipëri, në bazë të një vendimi të dhënë nga autoritetet italiane më shumë se një dekadë më parë, dhe që kishte mbetur i pazbatuar për shkak të mosfunksionimeve dhe neglizhencave të sistemit gjyqësor italian, ku dosje të vjetra, të harruara në sirtarë, janë risjellë në vëmendje vonë, duke sjellë pasoja të rënda mbi qytetarë shqiptarë që kanë krijuar jetë të re jashtë çdo aktiviteti kriminal.
Pas analizës së thelluar të çështjes nga avokatët Krenar Bardhi dhe Giacomo Galeotta, u provua se z. Gjepali kishte vuajtur më shumë sesa dënimi real i rishikuar, konkretisht 1 vit, 4 muaj dhe 27 ditë burgim të pa merituar.
Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave themelore të individit, që dëshmon sesi mungesa e efikasitetit institucional në vendet pritëse mund të kthehet në një padrejtësi të rëndë për shtetasit shqiptarë.
Më 11 korrik 2025, Prokuroria e Fermos ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të z. Gjepali, pasi nuk ka asnjë arsye tjetër ligjore për të vijuar ndalimin e tij.
🛑 Theksojmë se çdo informacion i shpërndarë më herët mbi një vuajtje të vazhdueshme të dënimit ose akuza të tjera penale ndaj z. Gjepali janë të pavërteta. Kjo çështje ka përfunduar ligjërisht dhe çdo koment tjetër është spekulativ dhe dëmton reputacionin e një individi që tashmë ka paguar më shumë se sa i takonte.
👥 Falënderojmë veçanërisht avokatët Krenar Bardhi dhe Giacomo Galeotta për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në mbrojtjen e të drejtave të klientit të tyre dhe për sjelljen e së vërtetës ligjore në dritë.
Për çdo pyetje ose verifikim, lutemi kontaktoni zyrën ligjore përkatëse.





