Për 3 ditë me radhë dhe për të tretin vit, panairi “Taverna e Adriatikut” synon të sjellë tek qytetarët e Durrësit, shqiptarët e diasporës, por edhe turistët e huaj, ofertën më të mirë kulinare dhe artizane, që qyteti 3000-vjeçar zotëron.

Me më shumë se 20 biznese pjesëmarrëse si agroturizma, kantina vere, fabrika të prodhimit të vajit të ullirit, por edhe artizanë duarartë ky panair, që është kthyer në një traditë të bukur, tërhoqi jo pak vëmendjen e kalimtarëve në shëtitoren “Taulantia”.

Shumë prej tyre u ndalën të degustonin nga afër produktet origjinale të tokës durrsake, por edhe të admironin punimet e artizanëve të qytetit. Dhe shumë prej tyre nuk u larguan duarbosh nga stendat, pasi morën me vete shumëçka nga ajo, që bizneset lokale kishin zgjedhur të reklamonin.

Për specialisten e drejtorisë së Turizmit në bashkinë Durrës, Floreta Kërtusha, panairi këtë vit vjen me risi të shumta, por edhe me koncerte me këngëtarë të njohur, për t’u kthyer kështu në një festë të bukur gjithëpërfshirëse në kulmin e sezonit veror.

Në panair, kishte biznese që për herë të parë bëheshin pjesë e tij. Kejsi Buzani, nga kantina e verës “Buzani” tregoi për “DurrësLajm” se zgjodhën të ishin pjesë e këtij panairi për të prezantuar verërat, rakinë, si dhe të gjitha pijet e tjera, që ata prodhojnë gjatë këtyre viteve në treg.
Të huajt i preferojnë së tepërmi pijet tradicionale shqiptare dhe ku më mirë sesa në këtë panair, ata mund të njihen nga afër dhe t’i degustojnë ato.
Ndërkohë, ndryshe nga Kejsi Buzani, Ramazan Canaj ka marrë pjesë në të tre panairet e organizuara deri më tani.
Vaji jonë i ullirit është një nga produktet “Made in Albania” më të kërkuara, por sipas Canaj, ajo çfarë na penalizon tashmë në tregjet e huaja është çmimi i lartë me të cilin tregtohet vaji.
Megjithëse kemi mijëra rrënjë ullinj të mbjella në të gjithë vendin, “fajtor” për çmimin e lartë sipas tij është krahu i punës dhe parcelat e vogla dhe të shpërndara.

E enjtja ishte vetëm nata e parë e panairit, pasi ai do të jetë i hapur edhe të premten dhe të shtunën.
M.B.





