Qyteti bregdetar i Durrësit vijon të pasurojë ofertën e tij kulturore dhe argëtuese me aktivitete të shumta gjatë sezonit veror. Tek “Veliera”, u zhvillua për herë të parë OREX Festival, një event i dedikuar gastronomisë dhe shijes së mirë.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të degustojnë produkte të ndryshme kulinare, duke përjetuar një eksperiencë unike mes shijeve tradicionale dhe moderne. Atmosfera festive u shoqërua me muzikë live në stilin “Rock Old Style”, të interpretuar nga grupi muzikor Blue Bird Band, duke krijuar një mbrëmje të paharrueshme për të pranishmit.

Festivali u mundësua nga Gastronomi dhe u mbështet nga Bashkia Durrës, si pjesë e kalendarit të aktiviteteve verore që po gjallërojnë qytetin dhe po tërheqin vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj.

Ky event i ri gastronomik jo vetëm që i shton vlerë ofertës turistike të Durrësit, por edhe synon të kthehet në një traditë vjetore, duke promovuar kulturën e ushqimit dhe argëtimin në një prej destinacioneve më të frekuentuara të Shqipërisë gjatë verës.