Ditët verore po përfundojnë dhe moti ka nisur të japë sinjalet e para se vjeshta po afron.
Pas përkeqësimit të motit në orët e para të së premtes, të shoqëruar me erë dhe shi të rrëmbyer, plazhi i madh në Durrës dukej një ditë më parë thuajse i braktisur nga pushuesit.

Por duket se efekti i motit të keq ka zgjatur fare pak dhe sërish plazhit i është kthyer gjallëria. Siç shihet edhe nga pamjet që “DurrësLajm” ka fiksuar përgjatë vijës bregdetare, në plazhin e madh por edhe tek zona e Brrylit (ku të enjten u “përmbyt” plazhi) janë rikthyer pushuesit.
Janë më të paktë në numër, sesa një javë më parë, por kjo është e kuptueshme sepse një pjesë e pushuesve tashmë i kanë përfunduar pushimet verore dhe janë rikthyer në vendet e punës.

Gjithsesi nuk mungojnë në bregdetin e Durrëst, shqiptarët e Kosovës, të cilët tradicionalisht për shumë vite me radhë fundjavat i kanë kaluar buzë Adriatikut.
Temperaturat që kanë rënë disi e bëjnë edhe më të pëlqyeshëm plazhin në këtë periudhë, pasi nuk është më vapa përvëluese e pak ditëve më parë.

Për vendasit, fundjavat e fundit të muajit gusht janë goxha të preferuara për plazh, sepse përgjatë vijës bregdetare nuk vihet re më fluksi i madh i pushuesve, karakteristikë kjo e pikut të sezonit veror.
M.B.





