Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Operacionalja 60”, duke vënë në pranga një 46-vjeçar të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.

I arrestuari është shtetasi D. B., 46 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte në arrati që prej vitit 2023, kur Gjykata e Posaçme (GJKKO) kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Sipas autoriteteve, D. B. akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Operacioni u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas informacioneve se i kërkuari po qarkullonte me automjet në zonën e Malit të Tomorrit.

Pas kapjes, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për hetime të mëtejshme.