Një maratonë noti me gjatësi 7.5 km për të rikthyer vemendjen nga ky sport kaq i bukur dhe kaq i dashur për durrsakët.
3 durrsakë të apasionuar pas notit u bënë pjesë e kësaj sfide të nisur mëngjesin e sotëm në zonën e Currilave në Durrës për t’u finalizuar në bregdetin e Porto – Romanos.
Dritan Beja, Eduard Xhepa dhe Ilia Ilia nisën në orën 09.00 të mëngjesit të kësaj të hëne sfidën e tyre për të përshkuar me not stil i lirë një distancë jo të vogël detare, duke synuar të ringjallin kështu një traditë, të humbur ndër vite.
Për “DurrësLajm”, ideuesi i saj Dritan Beja rëfen se gjithçka nisi me dëshirën e mirë për të ripërsëritur traditën e bukur të notarëve amatorë si Mirush Kabashit me shokë për të përshkuar distanca të gjata detare në bregdetin e Durrësit.
Ndërsa për Eduard Xhepën, kreun lokal të Shoqatës Shqiptare të Turizmit, nisma është edhe një apel drejtuar të injve për t’u bërë pjesë aktive e aktiviteteve sportive dhe për t’u orientuar drejt një stili jetese larg teknologjisë dhe jetës sedentare.
Avokati Ilia Ilia prej më shumë se 30 vitesh përshkon distanca të gjata detare, jo vetëm në bregdetin e Durrësit, por edhe në atë të Shqipërisë dhe për të, kjo garë e sotme është një sfidë e bukur, që pavarësisht vështirësive që mund të ndeshen gjatë rrugës ia vlen të jesh pjesë e saj.
Ndiqni më poshtë intervistat e tyre dhënë vetëm pak minuta para nisjes.
M.B.





