Pas rreth 2.5 orë not stil i lirë nga Currilat e deri në Porto Romano, sfida e ndërmarrë nga 3 notarë amatorë durrsakë përfundoi me sukses.

Të parët që prekën bregun ishin Dritan Beja dhe Eduard Xhepa dhe vetëm pak minuta pas tyre mbërriti avokati Ilia Ilia, që me këtë distancë 7.5 km sfidoi edhe moshën, pasi vetëm pas pak ditësh mbush 67 vjeç.

Siç rrëfen për “DurrësLajm” ideuesi i kësaj maratone, Dritan Beja, rrymat detare ua vështirësuan disi nisjen e maratonës, por më pas gjithçka shkoi mbarë.

“Jam shumë i kënaqur, sepse patëm vështirësi në fillim sepse rrymat i kishim kundër dhe deri tek fillimi i Kallmit, gati 3 km, kemi notuar me rrymën kundër. Me kalimin e kohës u qetësua deti dhe ishim më mirë. U kënaqëm sepse ishte një ditë shumë e bukur dhe ishim të motivuar për ta mbaruar këtë garë.”

Për avokatin Ilia, nuk numërohen dot më garat e gjata detare në të cilat ka marrë pjesë në të gjithë Shqipërinë, por secila sfidë ka bukurinë e saj.

“I kam bërë që nga Korfuzi, të gjitha plazhet atje, që nga Pema e thatë, Ksamil, të gjitha plazhet e Sarandës për të ardhur pastaj në zonën e Himarës, deri në Vlorë e Sazan. Ndërsa në Durrës nga Spilleja dhe deri tek Kepi i Rodonit i kam bërë sërish të gjitha”.

Ripërtërja e traditës së bukur, që ka ekzistuar vite më parë në Durrës, ishte qëllimi kryesor i të 3 pjesëmarrësve në këtë maratonë, por për Eduard Xhepën, njëkohësisht kreu i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, kësaj maratone vitet e ardhshme duhet t’i bashkohen edhe të rinjtë.

“Sugjerojmë që çdo vit të bëhet traditë dhe të shtohet sa më shumë numri i njerëzve që marrin pjesë në maratonë, sepse kjo është gjë e mirë se stimulon për të zhvilluar disiplinën e notit, që është shumë prioritet për qytetin e Durrësit dhe për turizmin në Shqipëri”.

Për shkak të rrymave detare, pjesëmarrësit ndryshuan pikënisjen dhe pikëmbërritjen e maratonës, por në fund të fundit, e rëndësishme në çdo sipërmarrje është finalizimi me sukses i saj.  

M.B.